Lufta e ashpër e presidentit amerikan Donald Trump kundër procedurave për hetim ndaj tij, nuk e ka ngadalësuar ofensivën e demokratëve për të hetuar nëse ai kërkoi përfitim personal politik, kur i kërkoi homologut ukrainas ta hetojë kundërshtarin demokrat Joe Biden.
Por në një taktikë të re, Shtëpia e Bardhë planifikon të argumentojë se kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duhet të ketë votën e plotë të Dhomës për të aprovuar zyrtarisht procedurat e hetimit.
Pa votim, avokatët e Shtëpisë së Bardhë besojnë se Trumpi mund t’i injorojë kërkesat e ligjvënësve, duke nënkuptuar që gjykatat federale do të duhej ta merrnin një vendim dhe potencialisht t’i ngadalësonin procedurat drejt fajësimit.
Demokratët duan të dëshmojnë se Trumpi kërkoi përfitim personal politik, duke i bërë thirrje Zelenskiyt në një telefonatë të 25 korrikut që ta hetojë ish-zëvendëspresidentin Biden dhe djalin e tij, Hunter.
Joe Biden kryeson në shumicën e sondazheve mes 19 demokratëve që kërkojnë nominim e partisë për t’u përballur me Trumpin në zgjedhjet e nëntorit 2020.
|