Tenistja australiane Ashleigh Barty ka mposhtur të dielën Elina Svitolinan duke triumfuar në turneun final të vitit të mbajtur në Shenzhen të Kinës.
Barty triumfoi me 6:4, 6:3 në sete në WTA Finals dhe fitoi një shifër rekorde prej 4.42 milionë dollarë, raporton BBC, transmeton Koha Ditore.
Barty 23-vjeçare, që kishte humbur të gjitha pesë përballjet e kaluara ndaj ukrainases Svitolina, ka ngadhënjyer më në fund të dielën. Barty ka mbyllur vitin si tenistja numër një në botë, ndërsa këtë vit pati sukses të madh, duke fituar Grand Slamin “Roland Garros”. Ajo është bërë australiania e parë që ka fituar WTA Finals qëkur këtë e arriti Evonne Cawley në vitin 1976.
“Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Jam krenare me veten dhe skuadrën time”, ka thënë Barty. Të dielën tenisti serb Novak Gjokoviq ka fituar për herë të pestë Mastersin e Parisit. Ai në finale mposhti me 6:3 dhe 6:4 kanadezin Denis Shapovalov.
|