Serena Williams ka kaluar lehtësisht Barbora Strycovan duke arritur në finale të Wimbledonit dhe është vetëm një fitore larg për të barazuar rekordin prej 24 turneve Grand Slame të fituar.
Amerikania ishte tepër e fuqishme për çeken dhe e mposhti me 2:0 në sete (6:1, 6:2), për të siguruar një përballje në finale me rumunen Simona Halep, transmeton Koha Ditore.
Williams 37-vjeçare e mposhti Strycovën për vetëm 50 minuta.
"Është ndjenjë e mirë të jem sërish në finale", ka thënë Williams, e cila vitin e kaluar në finale në Wimbledon u ndal nga gjermania Angelique Kerber.
Për Williamsin të shtunën do të jetë finalja e 11-të në Wimbledon.
Ajo po synon të barazohet me australianen Margaret Court me 24 tituj individualë në turne Grand Slam, dhe po ashtu po synon të fitojë Grand Slamin e parë qëkur është bërë nënë në shtator të vitit 2017.
Me Strycovan ishte përballur tri herë në të kaluarën dhe kishte fituar pa humbur asnjë set.
Dhe Williams nuk e ndali ritmin, duke e shkatërruar çeken në setin e parë. Ndonëse Williams është një teniste e preferuar, tifozëria donte të shihte më tepër lojë dhe duartrokiste çdo pikë që fitonte Strycova, në tentim për të motivuar çeken.
Por, me gjithë përkrahjen, Strycova, e renditur në pozitën e 54-t në ranglistën e botës, ishte e paforcë të përballonte Williamsin. Në gjysmëfinalen tjetër rumunia Simona Halep pa shumë telashe mposhti ukrainasen Elina Svitolina me 2:0 në sete (6:1 dhe 6:3), për një orë e 13 minuta lojë. Për Halepin do të jetë hera e parë që do të luajë në finale të Wimbledonit.
"Është një nga momentet më të mira të jetës sime", tha Halep, që më herët kishte qenë gjysmëfinaliste e Wimbledonit në vitin 2014. "Unë vërtet jam e entuziazmuar, por edhe pak me nerva. Thjesht do të tentoj të shijoj finalen sa më tepër të jetë e mundur".
|